Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave në vijën bregdetare në zonën e Porto Romanos.

 

Si rezultat janë proceduar penalisht 4 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra, të vendosura pa lejen përkatëse, si dhe janë sekuestruar 836 shezlongë dhe çadra.

 

Njoftimi i policisë:

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në zbatim të planit të masave të hartuara, të prezantuara dhe të monitoruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shtetit, për prani të shtuar të shërbimeve në plazhe, me qëllim përmbushjen e objektivit madhor, mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Plazh i lirë”.

 

Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Durrësit, u bë lirimi i hapësirës publike në vijën bregdetare të Porto Romanos, si dhe heqja dhe sekuestrimi i 836 shezlongëve dhe çadrave që ishin vendosur pa lejen përkatëse.

 

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

 

-A. Z., 43 vjeç, pasi kishte vendosur 88 shezlongë dhe 16 çadra, pa lejen përkatëse;

 

-F. E., 47 vjeç, pasi kishte vendosur 152 shezlongë dhe 66 çadra, pa lejen përkatëse;

 

-Gj. B., 55 vjeç, pasi kishte vendosur 40 shezlongë dhe 20 çadra, pa lejen përkatëse;

 

-L. B., 53 vjeç, pasi kishte vendosur 300 shezlongë dhe 150 çadra, pa lejen përkatëse.