Në më pak se shtatë vite, më shumë se 18 mijë ekonomi familjare në Ballkanin Perëndimor (BP) investuan mbi 100 milionë euro në teknologjitë e kursimit të energjisë, të tilla si izolimi, pompat e nxehtësisë, dritare të reja, dhe kolektorë diellore, falë programit rajonal të Instrumentit për Financim të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF) në Ballkanin Perëndimor, i lansuar në rajon në vitin 2017.

Për të shënuar suksesin e programit, një konferencë rajonale “Greening the Western Balkans” u mbajt sot në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila u ndoq nga pothuajse 200 palë të interesuara nga të gjashtë vendet, si Institucionet Financiare Partnere (IFP), rregullatorët dhe komunitetet e donatorëve.

Përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) theksuan se këto përmirësime kanë çuar në një reduktim të emetimeve të CO2 me më shumë se 25 mijë tonë në vit dhe 70 mijë MWh kursim vjetor të energjisë. Gjatë konferencës, pati diskutime të hollësishme në panele dhe sesione për shkëmbim të historive të suksesit, me qëllim të përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër në vitet në vijim.

Pas zbatimit të suksesshëm të programit në nivel rajonal, si dhe rritjes gjithnjë e më të madhe të interesimit për financimin e efiçiencës energjetike, kapaciteti financues i GEFF-it për Ballkanin Perëndimor u rrit nga 135 milionë euro në 415 milionë euro, me plane për zgjerim të mëtejmë të programit.

Fondet do të kanalizohen përmes institucioneve partnere financiare lokale dhe do të mundësohen për një numër edhe më të madh të ekonomive familjare në rajon që ta përmirësojnë efiçiencën energjetike në shtëpitë e tyre.

Aleksandra Vukosavljeviq, drejtoreshë e BERZH-it për institucione financiare për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për Evropën Lindore, tha se GEFF i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor ka ndihmuar në përparimin e tranzicionit të rajonit drejt një ekonomie të gjelbër në sektorin rezidencial, duke sjellë reduktimin e dukshëm të emetimit të karbonit, por edhe uljen e shpenzimeve të energjisë elektrike, duke përfituar kështu ekonomitë familjare dhe komunitetet, dhe duke rritur qëndrueshmërinë ekonomike dhe mjedisore.

“Jemi të kënaqur që mbështetja jonë ia ka mundësuar një numri të madh të ekonomive familjare në Ballkanin Perëndimor të investojnë në përparimin e efiçiencës energjetike. Lufta kundër ndotjes së ajrit dhe ulja e intensitetit të energjisë janë ndër prioritetet kryesore të BERZH-it në rajon. Duke qenë se sektori rezidencial është ndër konsumuesit më të mëdhenj të energjisë në rajon, ne do të vazhdojmë me ofrimin e mbështetjes tonë, me GEFF si një nga shtyllat tona kryesore mbështetëse për përmirësimin e efiçiencës energjetike në sektorin rezidencial”, shtoi ajo.

Ngjarja në Sarajevë u organizua për të festuar arritjet e GEFF-it, por edhe për të shpërblyer institucionet financiare partnere. Çmimi i Ekselencës iu nda të 30 institucioneve financiare partnere nga Ballkani Perëndimor. Gjatë konferencës gjithashtu pati diskutime dinamike në panel, të fokusuara në rolin kyç të sektorit financiar në nxitjen e transformimit të gjelbër të sektorit rezidencial, krahas diskutimeve për përshpejtimin e investimeve përmes reformës së politikave në kuadër të Valës së Rinovimit.

Diskutimet u zgjeruan edhe në teknologji rezidenciale të gjelbra, investime në ndërtesa të qëndrueshme dhe strategji për përmirësimin e përdorimit të ardhshëm të GEFF-it, të gjitha të mbështetura me histori të suksesit të GEFF-it.

GEFF për Ballkanin Perëndimor u krijua nga BERZH me mbështetjen e donatorëve dhe siguron linja krediti të specializuara për investime të gjelbra me ndjeshmëri gjinore për sektorin rezidencial (banorë individualë, banesa kolektive dhe ndërmarrje për menaxhimin e banesave, ofrues të shërbimeve, prodhues dhe shitës të teknologjive dhe materialeve të gjelbra dhe kompani ndërtuese).

GEFF mbështetet edhe nga stimujt në formën e investimeve dhe bashkëpunimit teknik, nga fondet e granteve të Bashkimit Evropian (BE) përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, qeverisë së Austrisë, Japonisë, Austrisë dhe Zvicrës përmes Partneritetit me Ndikim të Lartë në Veprimin Klimatik (HIPCA). HIPCA mbështetet nga Austria, Kanadaja, Finlanda, Korea, Holanda, Zvicra, Spanja, Fondi Ndërkombëtar për Bashkëpunim dhe Zhvillim (ICDF) i Tajvanit, dhe Mbretëria e Bashkuar./ata