Rreth 80 gjimnazistë të shkollës “DvM Humaniora Aalst”, Belgjikë, vizituan ditën e sotme Muzeun Historik dhe Etnografik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Gjithashtu muzeu u vizitua edhe nga një grup gjimnazistësh nga kryeqyteti i Bullgarisë, Sofje.

Lajmi bëhet i ditur sot nga Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë është një nga muzetë më të vizituar në vendin tonë. Në muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale apo riprodhime autentike, që flasin për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Ajo që e bën unik këtë muze është fakti që aty ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, Principatat Shqiptare, Pushtimi Osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është Monument Kulture i Kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 për qind e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qendisma të ndryshme të ekspozuara me finese. Mosha e këtyre objekteve shkon nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989.

Gjatë vitit 2023 muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110 162 vizitorë, ku 50 % ishin vizitorë të huaj, 30 % vendas dhe 20 % nxënës dhe studentë./ata