Hyrja e qytetit të Beratit po pëson një ndryshim rrënjësor, në kuadër të Programit Kombëtar të Eficiencës Energjetike, i cili po shtrihet në shumë qytete të vendit.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se “rehabilitimi i pallateve të vjetra në Rajonin.1 me sistem për rritjen e eficencës së energjisë garanton vlerë të shtuar për banorët dhe hyrje më estetike në qytetin e një mbi një dritareve”.
Demo bëri të ditur se aktualisht po punohet në zonën e njohur si rrethrrotullimi i “Ypsilonit”.
“Ky është një investim tejmase me vlerë për një mikpritje dinjitoze që në hyrje të qytetit, për turistët dhe vizitorët rekord të Beratit, si dhe për banorët e pallateve, për shtëpi më të ngrohta dhe rritje të vlerës së pronës”, tha Demo.
Sipas tij, kjo ndërhyrje së bashku me ndërhyrjet gjatë vitit 2023 në rajonin 1 kanë transformuar një lagje të harruar në dekada.
Vitet e fundit në Berat janë kryer dhe po kryhen një sërë investimesh në infrastrukturë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe turistëve të shumtë që vizitojnë Beratin./ata