Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Gjermani, u takua me ministrin gjerman për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Ozdemir.

Ministrja Denaj bëri të ditur se Shqipëria do të përfitojë nga modeli i suksesshëm gjerman i bashkimit të fermerëve dhe integrimit të teknologjive moderne, model i cili sipas saj, do  të standardizojë bujqësinë shqiptare me atë të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Një fazë e re për shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Gjermanisë ishte kryefjala e takimit me Ministrin e Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Ozdemir. Jo vetëm do të përfitojmë nga modeli i suksesshëm i Gjermanisë i bashkimit të fermerëve dhe integrimit të teknologjive moderne, por do të standardizojmë bujqësinë shqiptare me atë të vendeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh ministrja Denaj.

Ekspertët e dy vendeve, theksoi ajo, do të rrisin bashkëpunimin dhe angazhimin për të rritur kapacitetet institucionale të Shqipërisë me fokus përmirësimin e shërbimeve për fermerët./ata