Emiratet e Bashkuara Arabe kanë deklaruar se po punojnë për të siguruar brezin e gjerë satelitor Starling të kompanisë SpaceX në spitalin e saj fushor në qytetin Rafah në Rripin e Gazës.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, Abu Dhabi po punon në "partneritet me organizata dhe spitale të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale për të prezantuar brezin e gjerë satelitor Starlink të SpaceX në spitalin e saj fushor në Rripin e Gazës".

Sipas ministrisë, kjo iniciativë synon "të mundësojë konsultime mjekësore që mund të shpëtojnë jetën përmes video-thirrjeve në kohë reale".

Ministria theksoi "rëndësinë e internetit të besueshëm me shpejtësi të lartë në sigurimin e kujdesit mjekësor cilësor nga spitalet që u shërbejnë palestinezëve brenda Rripit të Gazës".

Ajo gjithashtu "ripohoi rëndësinë e dërgimit të menjëhershëm, të sigurt, të qëndrueshëm dhe të papenguar të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës".

Paralajmërimet ndërkombëtare po përshkallëzohen në lidhje me bombardimet izraelite në qytetin Rafah, mes përgatitjeve për një pushtim tokësor.

Rreziku qëndron mbi qindra mijëra individë të zhvendosur që kanë kërkuar strehim atje.

Që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, ofensiva izraelite në Rripin e Gazës ka vrarë mbi 28.500 palestinezë dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesa të gjërave të nevojshme.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa