Turqia dhe Greqia nënshkruan sot një marrëveshje në selinë e NATO-s për t’iu bashkuar një projekti gjerman të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qiejt e Evropës.

“Aktivitetet e përbashkëta të prokurimit janë kyçe për zhvillimin e aftësive të ushtrive evropiane në NATO”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius gjatë nënshkrimit.

Si shembull, Pistorius vuri në dukje një vendim të vitit të kaluar për Estoninë, Letoninë, Slloveninë dhe Gjermaninë për të blerë së bashku sistemet e mbrojtjes ajrore “Iris-T”.

I pari nga këto sisteme mbrojtëse do të dorëzohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Krahas prokurimit, është planifikuar një bashkëpunim i ngushtë edhe në fushat e operacioneve dhe trajnimeve.

Ministri gjerman i mbrojtjes tha se 21 vende tani po marrin pjesë në Iniciativën Evropiane të Mburojës së Qiellit (ESSI) e cila filloi në tetor të vitit 2020.

ESSI u konceptua për të reduktuar zonat e dobësive në sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s në Evropë.

Ndër të tjera, sistemet e reja të mbrojtjes tani do të blihen bashkërisht për të mbuluar një zonë të madhe. Përveç blerjes së sistemeve “Iris-T”, raketat e mbrojtjes ajrore “Patriot” gjithashtu mund të blihen së bashku.

Projekti u konceptua në sfondin e pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës, kur bombat dhe raketat ruse dëmtuan rëndë qytetet ukrainase, duke shkaktuar viktima të mëdha civile./ata