Në Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Drejtoresha e Përgjithshme Zana Çela realizoi një takim kortezie me ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.
Sipas njoftimit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, gatë takimit u diskutua mbi potencialin e pritjes së më shumë turistëve izraelitë në Shqipëri gjatë vitit 2024, përmes reklamimit të Shqipërisë në rrjetet sociale.
Ambasadorja Peleg theksoi se qytetarët e vendit të saj kanë shumë dëshirë të vijnë për të pushuar me familjet e tyre në Shqipëri pasi e shohin atë si vend të sigurtë.
Gjithashtu, Peleg shprehu interesin e lartë të turoperatorëve izraelitë për të njohur Shqipërinë si destinacion turistik lider në Evropën Juglindore, me qëllimin për ta kthyer vendin tonë në destinacionin kryesor të pushimeve për qytetarët izraelitë.
Gjatë bisedës u shkëmbyen ide për brandimin e Shqipërisë turistike përmes natyrës unike, bukurive të bregdetit, monumenteve të trashëgimisë kulturore si dhe vlerave të tolerancës e bashkëjetesës qytetare, aq të vyera për kulturën shqiptare./ata