Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në konferencën 3-ditore e Rrjetit Parlamentar “Gra të lira nga dhuna”, e bashkorganizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Koçiu tha se “dhuna online, një problem global, është ndër ato forma të dhunës që raportohet e fatkeqësisht, edhe luftohet më pak se çdo formë tjetër”.

“Ndryshimi i Kodit Penal për përfshirjen e dispozitave të dhunës psikologjike ka krijuar një bazë të fuqishme për ndjekjen dhe ndëshkimin e abuzuesve, ndaj po punojmë për të tjera ndërhyrje në legjislacion për të përcaktuar më qartë se çfarë duhet të konsiderohet dhunë dixhitale”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “mbrojtja e viktimave të dhunës dhe garantimi i të drejtave, janë në fokus të programeve mbështetëse të qeverisë dhe MSHMS”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si institucioni që mbulon dhe koordinon politikat e barazisë gjinore mban një peshë shumë të rëndësishme në lidhje me mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të dhunës.

“Në fokus të MSHMS është zgjerimi i paketës së shërbimeve të ofruara për viktimat e dhunës edhe në dimensionin e botës online. Angazhimi i përbashkët i institucioneve është i domosdoshëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të qenë bashkë përballë këtyre fenomeneve”, tha Koçiu.

Në Konferencën e Rrjetit Parlamentar “Gra të lira nga dhuna” marrin pjesë 55 delegatë të huaj, ndër ta 30 deputetë nga 46 shtete anëtare të Këshillit të Europës, përfshirë Austrinë, Norvegjinë, Italinë, Holandën, Spanjën dhe Portugalinë.

Kjo konferencë u mbajt edhe me iniciativën e Etilda Gjonajt, Raportuese e Përgjithshme e Dhunës ndaj Grave në APKiE dhe njëkohësisht Drejtuese e Rrjetit “Gra të lira nga dhuna”, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për arritjen e barazisë gjinore dhe luftën kundër formave të ndryshme të dhunës ndaj grave, me fokus të veçantë tek dhuna psikologjike dhe ajo online./ata