Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë është shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë, por edhe e partneritetit me SHBA-në.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Rama u shpreh se “është gjithnjë një ditë e shënuar, me një rëndësi të veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, dita kur një Sekretar Shteti viziton vendin tonë”.

“Në llogarinë tonë Ju jeni i gjashti, por këtë herë ne kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë pasi jemi shumë të vetëdijshëm për kohën shumë të trazuar jo vetëm në kufijtë e Europës, por edhe në zona të tjera me rëndësi strategjike në ekuilibrat e botës ku jetojnë dhe rrjedhimisht për ngarkesën e posaçme të axhendës suaj. Fakti që Ju gjetët kohë dhe e patë të nevojshme që të ndaleni në Tiranë është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë, por edhe e vlerësimit që Ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti, dhe patjetër edhe këtij rajoni”, tha Rama.

“Natyrisht që nuk mund të mos e ndaj edhe me publikun keqardhjen që mes një darke me ne në Shqipëri dhe një darke në Mynih, ku duhet të niseni menjëherë, Ju zgjodhët ushqimin jo dhe aq të shijshëm gjerman, por ne tonën e bëmë, darkën e kishim gati”, u shpreh Rama.

“Jemi shumë të nderuar sot nga vizita e Sekretarit të Shtetit dhe po ashtu mund ta them, pa asnjë zbukurim diplomatik apo protokollar, që jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi i hapur, i thellë dhe nga niveli i ndërveprimit dhe mirëkuptimit mes nesh”, vijoi Kryeministri./ata