Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA janë strategjike.

I pyetur përpara seancës plenare të Kuvendit për vizitën e parë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Tiranë, Basha argumentoi se çdo të thotë që marrëdhëniet janë strategjike.

“Ta përkthejmë pak për njerëzit. Ne e dimë se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria zor se bëhej anëtare e NATO-s. Pra, të fitonte privilegjet që s’i ka gëzuar kurrë si komb, të kombeve më të fuqishme të botës në krah të saj nëse sulmohet. Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova zor se bëhej e pavarur, ose i rezistonte fushatës genocidale të Sllobodan Millosheviçit”, u shpreh ai.

“Po u kujtoj dy momente kulmore që i kujtojnë të gjithë, besoj dhe 18-vjeçarët përveç nesh. Pra marrëdhëniet strategjike nuk mund të futen në çorapet e pista të politikës të Tiranës. Janë të tilla sepse transendojnë, kalojnë përtej personave, kalojnë përtej momenteve, kalojnë përtej se kush është në qeveri në atë moment e kush në opozitë”, theksoi Basha.

“ Ndaj sot dua t’i uroj në emër të Partisë Demokratike mirëseardhjen Sekretarit të Shtetit, Blinken dhe delegacionit të tij. Ta siguroj se Partia Demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhe do të kenë gjithmonë një faktor politik krenar dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe siç e ka provuar shpeshherë me një çmim të lartë të gatshëm për të mbrojtur parimet dhe standardet e kësaj aleance që nuk janë thjesht ushtarake apo të linjëzimit të politikës së jashtme së Shqipërisë me atë amerikane”, tha Basha.

“Kjo është e mirëqenë, nuk ka qeveri shqiptare që të çedojë nga kjo, por ka të bëjë me një mesazh nga një tjetër sekretar shteti i ardhur si sot tetë vite më parë, nga sekretari Kerry, i cili e tha qartë se kërcënimi më i madh ndaj partneritetit strategjik, ndaj aleancës së vlerave që përfaqëson edhe aleanca jonë me SHBA, edhe NATO, edhe BE vjen pikërisht nga autokratë të cilët kufizojnë hapësirat e lirisë, manipulojnë zgjedhjet, vendosin nën presion gjykatat, krijojnë pandëshkueshmëri dhe kulturë korrupsioni, godasin median e lirë dhe kufizojnë hapësirën opozitare”, përfundoi Basha./ata