Gjatë vizitës në Berat, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, Albana Koçiu u takua me nxënësit e shkollës “1 Maji” aty ku prej muajit shtator funksionon me kushte bashkëkohore kabineti dentar në shërbimin e tyre.

Ministrja Koçiu, e cila shoqërohej edhe nga drejtuesi politik i PS-së për këtë Qark theksoi se “në Berat janë dy shkolla të cilat janë të pajisur me kabinete dentare ku marrin shërbim dentar mbi 1 mijë nxënës, ndërsa në të gjithë vendin kemi në total 105 shkolla me kabinete dentare”.

“Një tjetër angazhim që do të ndërmarrim së shpejti është edhe programi i depistimit të skoliozës për fëmijët në shkolla”, tha Koçiu.

Programi i Depistimit të Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç në shkolla synon ngritjen e kabineteve të reja dentare në shkollat e vendit. Për fëmijët e shkollave në zonat rurale ky shërbim është ofruar edhe me njësi të lëvizshme dentare.

Gjatë vitit 2024 rreth 220 mijë fëmijë do të mbështeten nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në kuadër të programit të depistimeve të shikimit dhe kujdesit dentar në shkolla./ata