Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin ku vendosi se Protokollii ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” është në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.

“Vendosëm deklarimin e Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese (GJK).

“Ky vendim u njoftohet menjëherë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave
dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, nënvizohet më tej në vendim.

Në vendim thuhet, se Gjykata vëren se megjithëse de facto zonat e parashikuara në Protokollin për Migracionin do të përdoren nga autoritetet italiane për shqyrtimin sipas legjislacionit italian të kërkesave për azil të migrantëve që synojnë të hyjnë në Itali, kjo nuk shmang përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare nga detyrimi pozitiv vis-à-vis
migrantëve. Kjo përgjegjësi është e sanksionuar në Kushtetutë, si dhe në të drejtën
ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, ku përfshihen, por pa u kufizuar në to, KEDNJ-ja dhe Konventa e Gjenevës”.

Në këtë kuptim, vijon GJK, Protokolli për Migracionin nuk e kufizon shtetin shqiptar në ushtrimin e juridiksionit të tij në nivel kushtetues dhe konventor.

Nga ana tjetër, thuhet në vendim, për sa u përket kërkesave për azil, në aspektin e detyrimeve ndërkombëtare, për shtetin shqiptar nuk ka lindur ndonjë detyrim i tillë për sa kohë ky juridiksion ushtrohet mbi personat nga shteti italian, si shteti ku mbërrijnë migrantët e paligjshëm.

Detyra për shqyrtimin e kërkesave për azil të migrantëve që kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Italisë u përket autoriteteve të atij shteti, që do të thotë se kur ai zgjedh të procedojë jashtë territorit të tij, detyrimisht duhet të ushtrojë juridiksion për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare, thekson GJK.

Me fjalë të tjera, juridiksioni i shtetit italian është i lidhur dhe vjen për shkak të zbatimit të
konventave ndërkombëtare dhe përmbushjes së detyrimeve të shteteve anëtare në drejtim të çështjeve të azilit. Në këtë aspekt, për shkak të veçantisë së migrantëve që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, juridiksionet e dy vendeve palë të tij janë plotësuese të njëra-tjetrës, në shërbim të të drejtave themelore të migrantëve. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin është një marrëveshje dypalëshe për ndarjen e detyrave midis autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për çështjet e migrantëve dhe nëngrupit të azilkërkuesve, që synon të shmangë një vakuum juridiksional dhe përgjegjësish për të drejtat dhe liritë themelore të tyre, ndaj kalimi i juridiksionit autoriteteve italiane për çështjet e migrantëve dhe azilkërkuesve ka qenë i nevojshëm, thuhet në vendim.

Në përfundim, Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin nuk ndryshon
juridiksionin territorial të shtetit shqiptar në lidhje me Kushtetutën, KEDNJ-në dhe
marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm. Megjithatë, duke mbajtur në konsideratë veçantinë e përmbajtjes së Protokollit për Migracionin, që lejon që në një pjesë të territorit shqiptar, krahas juridiksionit shqiptar, të ushtrohet edhe juridiksioni i autoriteteve italiane ekskluzivisht për çështjet e azilit, Gjykata vlerëson se është e nevojshme të analizohet më poshtë edhe vlefshmëria e plotfuqive për lidhjen e tij, thuhet ndër të tjera në vendim./ata