Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha sot se me programin e forcës politike që ai drejton, Shqipëria do të jetë shumë shpejt një fuqi eksportuese sa i takon Bujqësisë.

Ai së bashku me Sekretarin për Çështjet e Bujqësisë, Edmond Panariti prezantuan të enjten programin e Partisë së Lirisë për Bujqësinë. Meta tha se Shqipëria ka potencial jo vetëm të sigurojë nevojat e brendshme të tregut, por edhe të jetë fuqi eksportuese në fushën e Bujqësisë. Sipas tij, bujqësia është një nga pesë prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë për 4 milionë shqiptarë plus.

“Partia e Lirisë e ka një prioritet madhor mbështetjen e bujqësisë, blegtorisë në veçanti, ushqimit e agropërpunimit. Përmes këtyre masave konkrete, ambicioze dhe realiste, jemi të bindur se Shqipëria shumë shpejt do të jetë fuqi eksportuese në këtë drejtim. Pra, Shqipëria jo vetëm që do të plotësojë nevojat e brendshme të saj, por do të ketë dhe rezultate spektakolare sa i takon eksporteve”, nënvizoi Meta.

“Është plotësisht e mundshme që kjo të realizohet dhe aq më tepër, kur shohim atë që ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Programi ynë reflekton edhe disa nga mangësitë, që kemi vërejtur në sistemin e Maqedonisë së Veriut. Programi ynë është i përqendruar në mënyrë shumë efikase për të mbështetur çdo kontribut, që të shndërrohet në një arritje të mirëqenies së atyre që punojnë në këtë sektor. Që të shpërblejë e të motivojë sakrificat e tyre, familjeve të tyre dhe që të mos largohen nga vendi. Të mos largohen nga trevat më patriotike të vendit, që janë zbrazur për shkak të mos mbështetjes së bujqësisë e blegtorisë. Por edhe të riintegrojmë sa më shumë bashkatdhetar të larguar nga vendi, e që punojnë në vendet fqinjë në fushën e bujqësisë, ndërkohë që kanë lënë djerrë tokat tona të begata, sepse këtu ata diskriminohen dhe kanë peshë të rënd fiskale mbi kurriz, përveç mos mbështetjes dhe diskriminimit që u bëhet nga ana e qeverisë dhe shtetit”, tha Meta.

“Bujqësia dhe blegtoria është një nga programet dhe prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë për të ndaluar shpopullimin e vendit. Është edhe një shërbim që i bëhet dominimit të tregut nga importet dhe një grupi importuesish që lidhen me kryeministrin aktual. Ne dolëm sot dhe bëmë publike disa objektiva konkrete, në mënyrë që të tërheqim edhe më shumë vëmendjen drejt këtij prioriteti dhe të kërkojmë që të gjithë të japin mendimin e tyre në lidhje me këtë çështje”, tha Meta.

Sekretari për Çështjet e Bujqësisë Edmond Panariti, tha se tek programi i Partisë së Lirisë është parashikuar një grant 10 mijë euro mbështetje për çdo sipërmarrje të re familjare në bujqësi dhe po ashtu kjo sipërmarrje do të përjashtohet për pesë vite nga programet tatimore./ata