Sekretari i përgjithshëm në Partinë Socialiste, Blendi Klosi tha sot gjatë një interviste televizive, se Partia Socialiste ka si objektiv që të marrë një fitore më të thellë, me më shumë mandate në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Ai tha se mazhoranca socialiste ka nisur përgatitjen në çdo qelizë të saj dhe në çdo cep të territorit për të qenë gati për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Nga sot na ndajnë një vit nga zgjedhjet parlamentare të radhës. Dhe një parti e madhe siç është Partia Socialiste, duhet të organizohet në çdo cep të Shqipërisë në mbi 5200 qendra votimi, në kaq shumë zona elektorale”, tha Klosi.

“Ne jemi një armatë e madhe e njerëzish, jemi një strukturë partie me mbi 100 000 anëtarë. Nuk është vetëm çështja organizative, por është një punë që e kemi bërë gjithnjë në këtë periudhë parazgjedhore. Ajo që flitet në parlament apo TV është një pjesë e vogël e të bërit politikë, pasi arma jonë më e fortë është të qenit në terren me qytetarët dhe aty është puna më e madhe e Partisë Socialiste”, tha Klosi.

“Rama tha në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS, se do të kemi fitore shembullore. Nuk është se kemi një target të përcaktuar. Kur të futemi në fushatë do ta kemi një target të strukturuar dhe do shohim pas zgjedhjeve nëse i jemi afruar targetimit tonë, që të mos shkojmë kuturu në zgjedhje. Fitorja shembullore do të ishte një reagim pozitiv i njerëzve karshi punës sonë. Objektivi është marrja e më shumë votave se në garat e kaluara. Pastaj do  të shohim me kalimin e ditëve, javëve se cili do jetë targeti për mandatet në parlament. Targati i padiskutueshëm është që të fitojmë mandatin e katërt, dhe pasja në parlament e më shumë mandateve se në vitin 2021”, tha Klosi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste tha se mazhoranca është e bashkuar nën lidershipin e kryesocialistit Edi Rama.

“E kam dëgjuar në media këtë idenë e ndarjes, pasi është e vetmja fije drite që ka kampi opozitarë, por e vërteta është se ne jemi strukturë kompakte dhe kemi një lidership të qartë si Edi Rama dhe për këtë s’ka as asnjë diskutim dhe s’ka asnjë ndjesi brenda Partisë Socialiste që mos të mbështesë lidershipin e Ramës dhe kjo është shumë e rëndësishme për fitoren e vitit 2025”, tha Klosi.

“Kam një ndjesi që kampi opozitarë shpreson që të arrijë atë që ndodhi në vitin 2005, që për shkak të ndarjes së Partisë Socialiste në dy parti, ku u fut në skenë LSI, çka solli që ne të humbisnim pushtetin në atë vit, edhe pse votat e majta ishin më shumë se kampi i djathtë. E njëjta gjë ndodhi dhe në vitin 2009, ku PS e LSI si parti të majta morën më shumë vota se PD, por LSI i bashkoi votat e majta me Berishën dhe kaloi në mazhorancë”, theksoi Klosi.

“Ky është skenar i kampit opozitar për të krijuar idenë e klaneve, por ne jemi qartazi të fokusuar në zgjedhjet e vitit 2025. Brenda PS s’ka asnjë tendencë për të krijuar ndarje”, nënvizoi Klosi.

Për Reformën në Drejtësi, Klosi tha se ndalimi, kapja e disa komponentëve nga mazhoranca fakton se Partia Socialiste ka bërë realitet atë që është një drejtësi e pavarur.

“Ajo çfarë kemi prodhuar me Reformën në Drejtësi, besimi që PS i dha Reformës në Drejtësi, duke ndërtuar institucione të pavarura, do të na japë shumë më tepër vota, sesa problematika që disa kolegë përfaqësues të PS, në pozicione të caktuara kanë patur me drejtësinë. Kjo, nga armata e madhe e drejtuesve të PS, janë disa raste që në fakt dëshmojnë atë që ne kemi synimin tonë parësor, si PS. Këtu është dhe diferenca jonë me të djathtën. Ne krijojmë institucione, krijojmë shtet, struktura të qëndrueshme, bëjmë reforma. Pra bëjmë atë që themi dhe themi atë që mund të bëjmë, s’themi gjëra kot. Kemi thënë në vitin 2013 që do të bëjmë sistem drejtësie të pavarur dhe për këtë morëm votën për të ardhur në pushtet. E kemi premtuar në çdo fushatë elektorale vijimin e kësaj reforme dhe është arsyeja e PS që është në pushtetin qendror dhe lokal”, tha Klosi.

Duke iu referuar bllokimit të seancave në parlament, Klosi tha se mendimi i opozitës mungon sot në Kuvend. “Nuk ka krizë në parlament për kalimin e ligjeve. Nuk ka asnjë diskutim që ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, prandaj sistemi është ndërtuar me dy kahe. Ne jemi 140 deputetë dhe PS ka marrë vetëm 74 vota, të tjerat u populli vendosi që si takojnë mazhorancës, por opozitës, që të shprehi mendimin e saj. Ka nevojë për mendimin e tyre, por ky mendim mungon prej disa muajsh në kuvend. Kjo nuk është krizë për kalimin e ligjeve. Krizë është kur parlamentit i mungojnë votat për të kaluar ligjet. Ka krizë negociatash, vendimmarrjesh, por që një grup i caktuar vjen në parlament dhe rri në këmbë për të kaluar kohën, ato mendojnë të bëjnë një politikë të tillë, ndoshta dhe i ecën”, tha Klosi.

Për Reformën Zgjedhore, Klosi tha se “Ligji zgjedhor kërkon 84 mandate në Kuvend për t’u votuar. PS nuk i ka. Ka vetëm 74 dhe 1 që na është shtuar 75. Ai kod, janë rregullat e garës elektorale, ku partitë, jo vetëm mazhoranca, por të gjitha partitë përfaqësuese të parlamentit, kanë interesa në garën politike. Ky ligj është për partitë politike, për garën elektorale, mos harrojmë që herën e shkuar në 2020 nuk i kishim votat, por tërheqja e PD të asokohe, të cilët kërkonin hapjen e listave, u negociua me PS dhe u miratuan ndryshimet në Kuvend. Jemi të gatshëm të dakordësohemi jo vetëm me opozitën zyrtare në parlament. Ne para disa ditësh patëm seancë të gjatë në Kuvend në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe dëgjuam dhe partitë e vogla që kërkojnë përfaqësimin e pakicave. Të gjithë kanë të drejtën të japin mendimin e tyre”, tha Klosi.

Lidhur me “primin”, Klosi tha se PS ka dëshmuar se ka arritur të fitojë zgjedhjet me shumë sisteme të ndryshme zgjedhore. “Unë i qëndroj fort bindjes se nuk është sistemi që të jep fitoren, por njerëzit. Ka diskutime, por, duhet të shohim interesin e qytetarëve. Interesi është të kemi një mazhorancë qeverisëse pas ditës së zgjedhjeve, jo një mazhorancë jo të qëndrueshme dhe të jetë peng i lojërave politike. Prandaj sistemi duhet të përmbushë kërkesat e kohës, pra votën e emigrantëve, kërkesat për një përfaqësim dhe barazi të votës në sistemin tonë politik dhe, le të themi, të ketë një sistem të baraslarguar nga palët. Dhe në fund palët kur të pranojnë sistemin do të pranojnë dhe rezultatin. Për ne s’ka rëndësi sistemi, ka rëndësi të punojmë me njerëzit”, përfundoi Klosi./ata