Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nënshkruan sot, një marrëveshje bashkëpunimi, me në fokus kujtesën, rivlerësimin e personaliteteve dhe ngjarjeve historike, si dhe dhënien e kontributit në njohjen e së shkuarës, nëpërmjet hapësirave e mundësive për ballafaqim me dosjet dhe historitë e komunizmit, për edukimin e brezave të rinj dhe zhvillimin e dialogut të shëndetshëm shoqëror, në emër të një të ardhmeje më të mirë. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e AIDSSH, Genta Sula dhe drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit do të realizojnë veprimtari të përbashkëta për promovimin e jetës dhe veprës së autorëve të njohur të vetëdijes kombëtare shqiptare, botime, takime informuese me nxënës të shkollave të mesme, studentë, pedagogë, studiues të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të përvojave të ndërsjella ndërmjet dy institucioneve.
Palët marrin përsipër të shkëmbejnë botimet e realizuara nga të dyja institucionet. Autoriteti do të ofrojë serinë e botimeve të cilat hedhin dritë mbi periudhën e errët të komunizmit dhe krimet e kryera nga ish-Sigurimi i Shtetit si dhe botime mbi personalitete historike të kohës, ndërsa Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të ofrojë botimet e saj.
Gjithashtu, Autoriteti dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të angazhohen bashkërisht për promovimin e botimeve me natyrë historike brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Marrëveshja u nënshkrua sot, në Qendrën “Tumo”, në 33-vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Hoxha. Njëkohësisht u zhvillua një takim ku u diskutua libri i shkrimtarit, Lekë Tasi, “Grabjani rrëzë kodrave”.

“Grabjani mes kodrave” është një libër me tematikë nga ngjarjet që i përkasin periudhës së errët diktatoriale, me mohimin e lirisë dhe shprehjes, përshkruar me nota realiste në rrëfimin mbi internimin e familjes së autorit si dhe qindra e mijëra familjeve të tjera, mes viteve 1944-1991./ata