Kryeministri Edi Rama nga Ankaraja, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin turk, Recep Tayyip ErdoÄŸan, tha se investimet nga Turqia në vendin tonë janë të mirëseardhura.
“Kemi bërë progres dhe jemi vullnetplotë për të bërë edhe më shumë progres në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Jam shumë i kënaqur zoti president, që vitin e shkuar, përveçse Shqipëria arriti një numër rekord, mbi 10 milionë turistë, numri i turistëve nga Turqia u rrit me 30% dhe ne shohim një potencial shumë të madh edhe në këtë aspekt”, tha Rama.
“Unë jam i bindur që ju nuk mërziteni kur turistët turq vijnë në Shqipëri dhe nuk shkojnë në Antalya dhe jam i sigurt që ministri juaj i Turizmit do të nxisë investimet në fushën e turizmit pasi edhe këtu Turqia ka krijuar një nivel ekselence dhe patjetër që për ne investimet turke janë të mirëseardhura. Kemi arritur në shifrën e 3,7 miliardë eurove, por siç e nënvizuat edhe juve në takimin e Këshillit të Lartë Strategjik, potenciali është për shumë më tepër, për të mos folur pastaj për volumin tregtar që me çdo kusht ne duhet ta ngremë në të paktën mbi 1 miliardë euro dhe këtu tani do ishte mirë që t’ju propozoja të vinim një bast që ju të futeshit në sedër edhe ne t’ia dilnim kësaj, por bastet në Turqi vazhdojnë të jenë të ndaluara”, shtoi Kryeministri.
Rama vlerësoi dhe marrëveshjen për lejet e drejtimit.
“Faleminderit shumë për lejet e drejtimit që ju i miratuat dhe tani shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht me automjetet e tyre, me lejet e drejtimit. Në këtë rast na i miratuat pas Gjermanisë, por e mirëkuptojmë vonesën”, nënvizoi Kryeministri Rama./ata