Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, tha sot se do të angazhohen të garantojë përmes politikave dhe iniciativave ligjore, forcimin e autonomisë vendore.
Në një deklaratë për mediat, Caka rreshtoi dhe piketat mbi të cilat do të bazohet angazhimi i Partisë së Lirisë, teksa shtoi se do të propozohet rishikimi i legjislacionit për lejimin e referendumeve lokale.
“Partia e Lirisë, angazhohet të garantojë nëpërmjet politikave dhe iniciativave ligjore: Rritjen e autonomisë fiskale të pushtetit vendor, nëpërmjet rishikimit të modelit të ndarjes së të ardhurave kombëtare, si të ardhurat nga taksat e ndara si dhe të taksave kombëtare duke i dhënë më shumë kompetenca administrative njësive të vetëqeverisjes vendore”, tha Caka.
Ajo shtoi se po ashtu do ketë propozime, për politika që rrisin kapacitetet vendimmarrëse të pushtetit vendor mbi të ardhurat e veta. “Përmes ndryshimeve ligjore, pushteti vendor do të sigurojë kompetenca shtesë për të vendosur mbi normën dhe formën e administrimit të të ardhurave të veta”, tha Caka.
“Rritja e kapacitetit financiar të qeverisjes vendore, duke rritur të ardhurat që marrin në formën e transfertës së pakushtëzuar nga 1% të PBB, të rritet minimumi në mbi 2% të PBB, për t’i kushtuar më shumë vëmendje përmirësimit cilësor të shërbimit të arsimit dhe shërbimit shëndetësor dhe shërbimeve sociale”, shtoi ajo.
Ajo tha se do propozohet edhe “Krjimi i një fondi investimi të veçantë për pushtetin vendor, i cili do të financojë projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe zhvillimore strategjike rajonale, që impakton më shumë se një bashki, per zhvillimin e infrastrukturës rurale dhe mbështetjen per zhvillim ekonomik Rishikimin dhe përmirësimin e sistemit aktual të ekualizimit fiskal, për të siguruar një ndarje më të drejtë dhe më efikase të burimeve financiare, ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore”, deklaroi Caka.
Sipas saj, “Partia e Lirisë do të propozojë edhe rishikim të legjislacionit me qëllim: Vendosjen me ligj të referendumeve lokale si zgjidhje për të gjitha çështjet që cenojnë autonominë e pushtetit lokal dhe përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve. Moto e qeverisjes vendore të jetë në përputhje me nenin Nr. 5 të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore të Këshillit të Europës: “Janë qytetarët ata që vendosin për administrimin e njësive të vetëqeverisjes vendore”.”, nënvizoi ajo.
Caka tha se “përmes forcimit të autonomisë vendimmarrëse të qeverisjes vendore, synohet të përmirësohet cilësia e jetës së të gjithë shqiptarëve”./ata