Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi sot në konferencën e përbashkët për /ashtyp me Kryeministrin Edi Rama në Ankara, se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të forcohet më tej në të ardhmen.

“Volumi tregtar me Shqipërinë ka arritur në 1 miliard usd, objektivi ynë i ri është që ta çojmë në 2 miliard usd”, tha Erdoğan.

“Kam besim se me përpjekjet e sektorit privat do t’ia arrijmë kësaj shifre në një kohë shumë të shkurtër. Turqia është një prej 5 investitorëve të rëndësishëm të Shqipërisë që arrin deri në 3,5 miliard usd. Më shumë se 600 firma turke kanë punësuar 15 mijë qytetarë shqiptarë duke mbështetur ekonominë vendase. Ne do të vazhdojmë në mënyrë reciproke për të rritur investimet dhe për të vazhduar lidhjet mes sektorëve të biznesit. Do të vazhdojmë mbështetjen për projekte në zhvillimin e Shqipërisë përmes Agjencisë TIKA”, tha ai.

Erdogan theksoi se, edhe marrëveshja që u nënshkrua pak më parë me TIKA-n, do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Në konferencën që mbajtëm me Kryeministrin Rama në 2021 dhamë lajmin e mirë se do të ndërtonim brenda 3 muajve një spital. Madje vendosëm edhe një bast me zotin Rama për këtë çështje. Dhe ne e mbajtëm fjalën dhe në kohë rekord prej 3 muajsh e ndërtuam spitalin e miqësisë në Fier. Ne do të vazhdojmë ta menaxhojmë bashkë këtë spital ku gjejnë shërbim qytetarë që vijnë nga çdo rajon i Shqipërisë”, tha ai./ata