Kryeministri Edi Rama nga Ankaraja, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se janë tre momente që Turqia e ka bërë të paharrueshme praninë në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Rama kujtoi dhe njëherë ndihmën e dhënë nga Turqia dhe Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, për të kaluar tërmetin, koronavirusin, si dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, fill pasi ajo u shpall në Prishtinë.
“Dua të them dhe ndoshta duke e përsëritur, por besoj që sa herë që flitet në këtë nivel për marrëdhënien me Turqinë, shqiptarët, Shqipëria, Kosova, nuk mund të harrojnë dot tre gjëra që mbeten besoj unë në kujtesën kombëtare për sot dhe për nesër. E para falë jush dhe qeverisë tuaj, Kosova u njoh si Republikë e Pavarur, pak minuta pasi parlamenti i saj shpalli pavarësinë”, tha Rama.
“E dyta, kur Shqipëria u godit nga një tërmet me pasoja jashtëzakonisht të rënda, ju ishit i pari që komunikuat me mua, më thatë që sa të jetë Turqia, Shqipëria nuk do të jetë kurrë vetëm dhe ndërmorët iniciativën publike për fillimin e menjëhershëm për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja”, tha Rama.
“E treta, kur Shqipëria, populli shqiptar, bashkë me popujt e tjerë të rajonit tonë, të Ballkanit Perëndimor u ndjenë si peshku pa ujë, në momentin kur bota u godit nga koronavirusi dhe teksa shikonim nëpër ekranet e televizorëve evropiane fillimin e vaksinimit në Europë, nëse nuk do të ishte Turqia dhe ju personalisht, kush e di se sa njerëz do kishin humbur jetën. Këto janë tre momente në njëfarë mënyre mes jetës dhe vdekjes që nuk harrohen dot kurrë. Pastaj ka shumë për të thënë”, tha Rama./ata