Deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbani, mbështetës i “Rithemelimit”, në një reagim për mediet deklaron se amendamenti i propozuar prej tij në Komisionin për Çështjet Ligjore lidhur me projektligjin për amnistinë penale, nuk parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar që janë dënuar apo gjykuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas Nallbatit, një kërkesë e tillë është propozuar nga relatori Plarent Ndreca, deputet i Partisë Socialiste.

“Në projektligjin për amnistinë, ndryshe nga sa ka dezinformuar Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, nuk kam propozuar asnjë amendament që synon apo parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar, që janë dënuar apo gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Amendamenti që kam dorëzuar synon në thelb garantimin e barazisë midis të dënuarve meshkuj dhe femra, apo kategorisë së veprave penale, duke rritur masën përfituese për të dënuarit meshkuj nga 3 vjet në 4 vjet”, deklaron Nallbati.

“Amendamenti që përflitet për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 5 është një propozim apo ndryshim i bërë nga relatori i PS z. Plarent Ndreca. Asnjë deputet i Grupit Parlamentar të PD nuk ka votuar pro projektligjit në Komisionin e Ligjeve”, bën të ditur Nallbati.

“Çdo mekanizëm, çdo keqinformim apo keqpërdorim, çdo tentativë e mazhorancës duke dezinformuar edhe median është e papranueshme dhe nxjerr në pah se amnistia e propozuar prej tyre nuk ka qëllim të përfshijë shtresat që kanë nevojë, por synon të përdoret si mburojë për zyrtarët e korruptuar. Në funksion të transparencës bashkëlidhur i plotë amendamenti i dorëzuar nga ana ime zyrtarisht”, përfundon Nallbati, duke publikuar dhe amendamentin e propozuar prej tij.