Mazhoranca socialiste ka propozuar deputetin Fatmir Xhafaj për të drejtuar Komisionin e Posaçëm të ngritur në mënyrë të njëanshme nga PS-ja për të thelluar reformat antikorrupsion.

Një deputet veteran i PS-së dhe ish-ministër i Brendshëm, Xhafaj njihet si arkitekt i reformës në drejtësi, pasi drejtoi komisionin e posaçëm parlamentar në vitin 2016, kur u miratua dhe paketa ligjore për funksionimin e organeve të reja të drejtësisë.

Projektvendimi i publikuar nga Kuvendi të mërkurën me përbërjen e komisionit pritet të votohet të enjten në seancë plenare. Sipas dokumentit afati fillestar i punës së tij do të jetë 10-mujor, me të drejtë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë me vendim të Kuvendit.

Në listën e anëtarëve vetëm kryetari Xhafaj vjen si propozim i PS-së, ndërsa emrat e tjerë bëhen automatikisht anëtarë për shkak të funksioneve që kanë në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare.

Sipas projektvendimit të miratuar të enjten që shkoi Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare, të cilët janë kryetarë dhe nënkryetarë të komisioneve të përhershme parlamentare dhe kryetari e nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Bazuar në këtë formulë në përbërjen e tij do të jenë përveç Xhafajt, deputetët e PS-së, Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Toni Gogu, ndërsa nga opozita do të jenë anëtarë Jorida Tabaku, Dhurata Tyli, Sorina Kote, Flutura Açka dhe një vend bosh që pritet të propozohet nga grupi parlamentar i PD-së.

Sipas projektvendimit nënkryetari do t’i përkasë pakicës parlamentare, ndërsa vendimmarrja do të merret me shumicë votash por duke pasur si synim konsensusin.

I njohur ndryshe edhe si komisioni “antikorrupsion”, ai është rezultat i një rezolute të propozuar nga mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama

“Komisioni ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi”, – thuhet në vendimin e votuar në parlament, por në funksionet e tij do ketë edhe thirrjen në seanca dëgjimore të institucioneve të drejtësisë.

Mazhoranca e ka justifikuar nevojën e ngritjes së tij me rolin e Kuvendit si ndërmjetës mes institucioneve të pavaruara dhe agjencive ligjzbatuese për ecurinë reformave anti-korrupsion dhe si një kërkesë të procesit të integrimit evropian.

Vendimi për ngritjen e tij parashikon që pranë Komisionit do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, organizata të shoqërisë civile dhe medias, etj../Dita