Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë nesër ndryshimet ligjore për amnistinë penale. Nga nisma ligjore e qeverisë do të përfitojnë mbi 700 të dënuar, duke u bazuar në parimin e humanizmit, riintegrimit, por edhe duke i dhënë zgjidhje problemit të mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimeve penale.
Ndryshimet ligjore, sipas edhe dakordësimit në komisionet parlamentare, do të kenë fuqi për të dënuarit dhe personat nën hetim për të cilët kanë një vendim të tillë deri më datën 31 janar 2024 dhe jo në 21 nëntor 2023, siç ishte parashikuar nga Ministria e Drejtësisë.
Sipas ndryshimeve ligjore parashikohet që përjashtohen nga vuajtja e dënimit: Personat meshkuj, të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.01.2024, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Po ashtu përfitojnë personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 5 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.01.2024, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Përfitojnë edhe personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet; Personat femra, dënuar me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 5 vjet; Personat e dënuar meshkuj, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç; Personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç; Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç. Nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë.
Në projektligj sqarohet se edhe nëse një person i dënuar përfiton nga kriteret e përmendura më lart, nuk përfiton nga amnistia, nëse veprat penale që ka kryer janë parashikuar si kritere ndaluese në këtë projektligj. Kësisoj, nuk përfitojnë nga amnistia persona që kanë kryer vepra penale të tilla si: Krimet kundër njerëzimit; krimet e rënda kundër jetës; veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit; krimet seksuale; veprat penale kundër lirisë së personit; veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes; vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve; veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve; vepra penale kundër mjedisit; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; krime kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve; vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale. Po ashtu, nuk përfitojnë nga amnistia personat e dënuar me burgim të përjetshëm dhe personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, përjashtohen nga amnistia personat që i janë shmangur drejtësisë. Ndërkohë, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat e fshehur, të arratisur ose të ikur, të cilët, megjithëse kanë dijeni, i shmangen me vullnet procedimit penal, zbatimit të masave të sigurimit ose ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë të dënimit. “Ky parashikim është bërë për shkak se qëllimi i amnistisë është rehabilitimi i personave dhe personat që i shmangen drejtësisë nuk mund të përfitojnë nga kjo masë e cila në thelb ka humanizmin dhe riintegrimin, pasi me veprimet e tyre kanë treguar se nuk janë në kushtet e rehabilitimit dhe nuk synojnë pikërisht këtë riintegrim”, saktësohet në relacionin bashkangjitur pr/ligjit.
Në projektligj sqarohet se të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë, u zbritet: 1 vit e gjysmë nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, gra, dhe të mitur; 1 vit nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, burra. Edhe në këtë rast nuk përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve, kur u miratua dhe drafti final, mi
/tri i Drejtësisë, Ulsi Manja shprehu dakordësinë për propozimet e bëra nga relatori dhe nga deputetët e opozitës, ku sqaroi se është pranuar amnistia për veprat penale bazike që lidhen me organizimet e protestave, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, por jo për personat e armatosur në protestë dhe veprat penale “goditje për shkak të detyrës”, “shkatërrimi i pronës me zjarr”, “shkatërrimi i pronës”./ata