Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh se Ndihma Juridike falas garanton mbrojtje për të gjithë qytetarë, ndaj kjo ministri po thellon bashkëpunimin me bashkitë e vendit, për të promovuar këtë ndihmë profesionale.
“Vijon puna e Ministrisë së Drejtësisë për promovimin e Ndihmës Juridike Falas në bashkitë e vogla, duke informuar dhe mobilizuar institucionet për të siguruar akses të sigurt në drejtësi për çdo grup në nevojë. Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional është thelbësor për ofrimin e një shërbimi më të afërt dhe cilësor për qytetarët tanë. Së bashku, për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë”, u shpreh Manja në postimin në rrjetet sociale.
Ndihma Juridike Falas garanton mbrojtje dhe akses të barabartë për të gjithë qytetarët në sistemin e drejtësisë. Ky shërbim është i pranishëm në të gjithë Shqipërinë për të gjitha ata që i nevojitet ndihmë juridike falas apo avokat falas për proces gjyqësor.
Qytetarët duhet të paraqiten pranë 20 qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore (në Tiranë, Lushnjë, Durrës, Lezhë, Pogradec, Vlorë, Dibër, Kukës, Korçë, Berat, Elbasan, Shkodër, Tropojë, Përmet, Pukë, Mat, Kavajë, Kurbin, Gjirokastër dhe Fier).
Nga kjo ndihmë përfitojnë qytetarët pa të ardhura dhe pasuri të mjaftueshme. Viktimat e dhunës në familje; Viktimat e abuzuar seksualisht. Viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Viktimat e mitur, të miturit në konflikt me ligjin. Fëmijët të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore. Personat që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit. Personat, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale, etj./ata