Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në mbledhjen e kryesisë të Partisë së Lirisë, u ndal te kostot e jetesës, të cilat sipas tij “vazhdojnë të rriten çdo ditë”.

“Çmimet e ushqimeve të shportës, pra produktet bazike të konsumit dhe jo vetëm, janë shumë më të larta krahasuar me fqinjët, por edhe me vendet e Bashkimit Europian, kur ndërkohë pagat në vendin tonë janë disa herë më të ulta, ndërsa pensionet sa gjysma e Kosovës, një e treta e Malit të Zi”, tha ai.

Sipas tij, “rritja e përditshme dhe abuzive e çmimeve po godet fort dhe po asgjëson shtresën e mesme në vendin tonë, përfshirë dhe mësuesit, mjekët, infermierët dhe kështu me radhë”.

Meta theksoi se “Shqipëria renditet e para në vendet e rajonit sa i përket nivelit të çmimeve krahasuar me mesataren e çmimeve të vendeve europiane”.

Sipas tij, “ky është shkaku kryesor pse kapacitetet turistike në vend kanë rënë nga 50 në 70 %, ndërkohë që kompanitë e mëdha turistike, njëra pas tjetrës, janë larguar nga Shqipëria”.

Në mbledhjen e sotme kryesia Politike e Partisë së Lirisë zgjodhi dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm për Organizimin dhe Financat, Sokol Ponarin.

Ndërsa Anxhela Shenaj u zgjodh sekretare politike për Qarkun e Vlorës dhe Hamëz Gjonaj, sekretar digjital./ata