Instituti i Statistikave ka nisur fazën përgatitore për implementimin e censit të Bujqësisë.

Kryetari i komisionit për Ekonominë dhe Financat, Eduard Shalsi dhe anëtarë të këtij komisioni, zhvilluan sot një vizitë monitoruese në ambientet e Institutit të Statistikave (INSTAT), ku u pritën nga drejtoresha e Përgjithshme Elsa Dhuli dhe stafi drejtues i institucionit. Qëllimi i vizitës ishte prezantimi dhe njohja nga afër me punën për organizimin e procesit dhe fazën në të cilën ndodhet projekti për realizimin e censit të Bujqësisë.

Drejtoresha e INSTAT,  Elsa Dhuli, fillimisht i falënderoi deputetët për mbështetjen e vazhdueshme në miratimin e akteve ligjore dhe planetë vjetore të punës, që ndihmojnë zhvillimin dhe përmirësimin e statistikave në vend dhe më pas i njohu me procesin në të cilin ndodhet aktualisht censi i Popullsisë dhe Banesave 2023.

Dhuli informoi deputetët se INSTAT është duke bashkëpunuar edhe me ekspertë të huaj dhe aktualisht po punohet për pastrimit të datasetit të të dhënave që më pas të procesohen paketat, si dhe sqaroi gjithë procesin që do të ndiqet deri në publikimin e plotë të të dhënave përgjatë periudhës qershor-tetor të vitit 2024.

Dhuli informoi deputetët dhe për masat e marra për reagimin e shpejtë dhe të duhur pas sulmit kibernetik të disa javëve më parë dhe siguroi se të dhënat nuk janë prekur dhe se publiku dhe përdoruesit e të dhënave kanë akses të plotë të faqen zyrtare të INSTAT.

Kryetari i komisionit, Eduard Shalsi vlerësoi punën e mirë që është bërë për rritjen e cilësisë së të dhënave statistikore dhe përgatitjet e censin e Popullsisë dhe Banesave 2023.

Duke vlerësuar reagimin e shpejtë për ruajtjen e të dhënave pas sulmit kibernetik, Shalsi theksoi nevojën për rritjen e investimeve në sistemet e mbrojtjes kibernetike.

Më pas Elona Sevrani, drejtoreshë e Përgjithshme e Prodhimit Statistikor njohu deputetët më konkretisht me përgatitjet për Censin e Bujqësisë 2024, hapat e ndërmarra deri më tani, si dhe sfidat që shoqërojnë procesin. Sevrani nënvizoi se përgatitja për censin e Bujqësisë, po mbështetet nga partner kombëtar, si dhe FAO, BE, Banka Botërore, etj., si dhe sqaroi se përgatitjet për këtë cens kanë nisur me Censin e Popullsisë dhe Banesave, ku ka qenë i përfshirë një modul i dedikuar bujqësisë.

Më pas Dhuli iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të deputetëve lidhur me masat që po merren për Censin e Bujqësisë 2024, metodologjinë e përzgjedhur, problematikat e hasura deri më tani, përshtatjen me rregulloren e fundit të BE për statistikat e bujqësisë, etj.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, tha se, “ky cens do të bazohet në përgjigjet e pyetësorin të censit të Popullsisë dhe Banesave, nga pjesa që i përkiste bujqësisë si dhe informacione shtesë do të jenë edhe 4 regjistra të vënë në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”.

Dhuli tha se “si anketues do të përfshihen edhe studentë nga Universiteti Bujqësor të mbështetur edhe nga anketues të trajnuar”.

Censi i Bujqësisë do të sigurojë informacione mbi module të veçanta, në të gjitha fermat bujqësore që kanë të bëjnë me: ujitjen, praktikat e menaxhimit të tokës, makineritë dhe pajisjet dhe pemëtarinë etj.

Censi i Bujqësisë do të sigurojë gjithashtu të dhëna për strukturën e bujqësisë, veçanërisht për njësitë e vogla administrative./ata