Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me OSBE-në, për të rritur efikasitetin e komunikimit dhe qasjes me viktimat e dhunës ndaj krimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministria e Drejtësisë bënë të ditur se falë marrëveshjes, punonjësit e ndihmës juridike falas do të pajisen me një manual komunikimi për të përmirësuar komunikimin dhe pritjen e kategorive të veçanta të qytetarëve, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve tona duke garantuar akses të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Në kuadër të Javës për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas përfaqësuar nga drejtori Ergys Qirici, nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me kryetaren në Detyrë të Prezencës së OSBE në Shqipëri, Clarisse Pasztory”, bën të ditur Ministria e Drejtësisë.
“Skuadrat tona të Ndihmës Juridike Falas do të pajisen me një “Manual Komunikimi” për qasjen në komunikim dhe pritjen e kategorive të veçanta të qytetarëve, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve tona duke garantuar akses të barabartë për të gjithë qytetarët, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, ku bëjnë pjesë edhe viktimat e krimit.
Mbrojtja e viktimave të krimit është një detyrë e përbashkët për një shoqëri më të sigurt!”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë./ata