Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi sot nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian, dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programin “Programi i Tregut të Përbashkët për periudhën 2021-2027”

Kjo marrëveshje do t’i lejojë sipërmarrësit shqiptarë (biznese dhe OJF) të aplikojnë në thirrjet e BE-së për projekt propozime në kuadër të shtyllës “Konkurrueshmëria e SME-ve” të Programit të Tregut të Përbashkët në faqen e dedikuar të internetit Calls for proposals – European Commission (europa.eu). Nëse propozimet vlerësohen të suksesshme, bizneset shqiptare do të përfitojnë fondet e BE-së për të marrë pjesë, së bashku me bizneset e tjera të BE-së, në nismat e financuara nga BE.

Fokusi i marrëveshjes është pjesëmarrja e Shqipërisë në Shtyllën e Ndëmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme “SME Pillar” e cila synon forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së SME-ve, mbështetjen për SME-të, grupet, rrjetet dhe organizatat e tjera të biznesit, duke përfshirë Sektorin e turizmit, rritjen dhe krijimim e NVM-ve; lehtësimin e aksesit në tregje (përfshirë ndërkombëtarizimin); rritjen e aftësive të sipërmarrjes; përmirësimin e mjedisit të favorshëm të biznesit, transformim dixhital, mundësi të reja biznesi, duke përfshirë ekonominë sociale dhe modele inovative biznesi;

Po ashtu, marrëveshja synon rritjen e konkurrueshmërisë të ekosistemeve dhe sektorëve industrialë, zhvillimi i zinxhirëve të vlerës industriale; për shembull: turizmi, tekstili, ndërtimi, afërsia dhe ekonomia sociale si dhe modernizimin e industrisë, duke kontribuar në një ekonomi të gjelbër, dixhitale dhe elastike.

Pjesëmarrja në këtë program i shërben përmbushjes së objektivave strategjike për integrimin e Shqipërisë në BE dhe angazhimet e marra në kuadër të procesit të integrimit europian në veçanti në Kapitullin 20 “Politikat industriale dhe ndërmarrjet” duke kontribuar në forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së NMV-ve./ata