Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka, u takua sot me shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës (KiE) në Shqipëri, Gulia Re.

Gjatë takimit u diskutua mbi ndjekjen nga Kuvendi të përmbushjes së rekomandimeve të Komitetit kundër Torturës të KiE-së, që ka konstatuar mbingarkesë në burgje dhe raporte jo të balancuara mes të dënuarve e të paraburgosurve, eficencën në drejtësi, garantimin e të drejtës së pronës dhe regjistrimit të saj nga Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të drejtat e minoriteteve, zbatimin e rekomandimeve të GRECO (Grupi i shteteve kundër korrupsionit të KiE) etj.

Për këto çështje Shqipëria raporton pranë KiE-së, si një vend anëtar, prej vitit 1995.

Bushka e falenderoi Gulia Re për mbështetjen që KiE u jep autoriteteve shqiptare, për konsolidimin e standardeve më të mira të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, në të cilat, sipas raporteve të KiE, Shqipëria vlerësohet si vend me progres.

Kryetarja Bushka dhe shefja e Zyrës së KiE-së, Gulia Re, ranë dakord që bashkëpunimi i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut me zyrën e KiE-së në Tiranë do të vijojë të jetë i qëndrueshëm dhe efektiv, për çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës./ata