Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se gratë profesioniste janë të angazhuara në rritjen e barazisë gjinore dhe në forcimin e rolit të gruas në Shqipëri.
Ibrahimaj mori pjesë në takimin motivues të organizuar nga Women on Board Albania, së bashku me gra profesioniste të fushave të ndryshme.
“Të gjitha janë të angazhuara në rritjen e barazisë gjinore dhe në forcimin e rolit të gruas në shoqëri, me fokus zhvillimin e sipërmarrjeve të qëndrueshme dhe novatore”, u shpreh ajo.
Në një botë që ndryshon me shpejtësi, gratë shqiptare po demonstrojnë guxim të jashtëzakonshëm për të ndjekur aspiratat e tyre dhe për të treguar potencialin e tyre të vërtetë.
Sipas ministres Ibrahimaj, roli i grave për zhvillimin e biznesit dhe më gjerë ekonomisë, është i pazëvendësueshëm, ndaj qeveria është e angazhuar të nxisë dhe të rrisë me tej nismat e tyre në biznes.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se rreth 32 % e ndërmarrjeve në vend drejtohen nga gratë./ata