Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik “Strategjinë Kombëtare të Agroturizmit”, një plan i detajuar me masa e aktivitete për forcimin e njësive agroturistike, drejt zhvillimit rural të qëndrueshëm.

Ky dokument i rëndësishëm, mbështet agroturizmin përmes zbatimit të një qasjeje të integruar të kohezionit territorial përmes zhvillimit të prodhimit, punësimit cilësor të të rinjve, zinxhirëve të shkurtër të vlerës dhe fuqizimin e produkteve tradicionale, si vlerë e identitetit të zonave rural bujqësisë, duke siguruar një ndikim pozitiv në mirëqenien e komunitetit rural.

Dy prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Agroturizmit janë: Përmirësimi i ofertës së agroturizmit të certifikuar dhe ruajtja e kapitalit vendas dhe njerëzor përmes zhvillimit të qëndrueshëm.

Objektiv mbi 1000 njësi agroturistike deri në 2030

Përmes kësaj strategjie qeveria synon të shkoj drejt objektivit +1000 njësi agroturistike deri në vitin 2030.

“Ndërtojmë një qasje të integruar të kohezionit territorial përmes zhvillimit të prodhimit, punësimit cilësor të të rinjve, zinxhirëve të shkurtër të vlerës dhe fuqizimin e produkteve tradicionale, si vlerë e identitetit të zonave rurale,” citon dokumenti.

Ndërkohë që, deri në vitin 2027 parashikohen të jenë 100 sipërmarrje agroturizmi të certifikuar, që do të rrisin ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare.

Krahas sipërmarrjeve të certifikuara, që do të katërfishohen, në krahasim me sa kemi sot, janë mijëra ferma në fshat, që synojnë aktivitetin e turizmit rural dhe po presin vizitorë vendas dhe të huaj në mjediset e tyre, duke ofruar edhe fjetje, krahas ngrënies.

Dokumenti bën të ditur se, në bazë të praktikës botërore, xhiroja e një agroturizmi është rreth 142 000 euro në vit. Ndërkohë në vendin tonë, kemi mbi 2 mijë ferma që duan të zhvillojnë (dhe një pjesë e mirë po zhvillojnë), aktivitete pritëse për turistë.

Po ashtu, punësimi në fshat ndihmohet shumë, pasi punonjësit në një sipërmarrje agroturizmi janë deri në 9 vetë, ndërsa mesatarja e ndërmarrjeve të vogla tek ne është 4-5 punonjës.

Nga ana tjetër, agroturizmi si biznes bashkon, pasi madhësia mesatare e një agroturizmi si sipërfaqe toke është 10 ha, ndërkohë që kjo mesatare është 1,2 ha për fermat bujqësore tek ne. Një agroturizëm ka mesatarisht 6 dhoma për akomodim dhe 23 tavolina restoranti.

Me strategjinë për agroturizmin dhe masat për zbatimin e saj, qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2027 të rrisë peshën dhe ndikimin që sektori i agroturizmit ka në tërësi në ekonominë tonë, por sidomos në zonat rurale ku ai zhvillohet. Gjithashtu ky sektor është shumë i lidhur dhe me teknologjinë e informacionit dhe digjitalizimin e jetës në fshat. Të gjithë vizitorët e huaj mund të njoftohen dhe të pronotojnë përmes platformave online, si dhe faqeve online të fermave tona rurale.

Strategjia kombëtare e agroturizmit, synohet rritja e grave sipërmarrëse dhe shtim i angazhimit të të rinjve

Strategjia e posaçme për zhvillimin e agroturizmit, ka në prioritet aktivizimin e jetës dhe ekonomisë rurale.

Gjithashtu ajo vendos një fokus të veçantë në punësimin e të rinjve, nxitjen e barazisë gjinore, respektimin e të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve.

“Në mënyrë që të shmanget humbja e kapitalit njerëzor, biodiversitetit dhe traditës,
veçanërisht në zonat e disavantazhuara dhe të margjinalizuara, duhet mundësuar zhvillimi
shumëfunksional dhe i qëndrueshëm i fermave, duke inkurajuar përfshirjen e të rinjve dhe
grave. Përfshirja e komuniteteve në zonat e margjinalizuara dhe të disavantazhuara, ekonomitë e të cilave janë kryesisht me bazë rurale, është një element kyç për strategjitë gjithëpërfshirëse”, citon dokumenti.

Një tjetër drejtim të rëndësishëm që mbështet “Strategjia e Agroturizmit” është edhe përmirësimi i cilësisë së produkteve ushqimore dhe shërbimeve turistike në zonat rurale. Në dokumentin e publikuar nga Ministria Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, theksohet se “Objektivi i përfitimit të një klientele ndërkombëtare dhe vendosja në një pozitë konkurruese në sferën e turizmit rural kërkon arritjen e disa standardeve minimale specifike për agroturizmet e certifikuara dhe prodhimeve bio”.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me atë të Turizmit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të përgatisë një udhëzues për standardet minimale që do të zbatohen për sektorin e ushqimit dhe të veprimtarive pritëse, për të ofruar mbështetje të qartë dhe të menjëhershme për bizneset agroturistike.

Shqipëria është një vend i përshtatshëm për zhvillimin e agroturizmit, falë atraksioneve të shumta turistike që ajo ka (pra burimeve natyrore dhe antropogjene), si dhe falë burimeve bujqësore.

Bujqësia dhe turizmi janë aktualisht dy sektorë mjaft të rëndësishëm dhe me prioritet për zhvillimin e ardhshëm socio-ekonomik afatgjatë. Prandaj, strategjitë që krijojnë mundësi zhvillimi që ndërlidhin këta dy sektorë të rëndësishëm janë padyshim thelbësore. Agroturizmi është një mjet që mund të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm rural në përgjithësi, e veçanërisht në zonat e margjinalizuara

Politikëbërja në nivel qendror dhe vendor ka treguar se bujqësia dhe turizmi janë prioritetet e zhvillimit socio-ekonomik të qëndrueshëm dhe afatgjatë të Shqipërisë./ata