Rritja e eksporteve shqiptare dhe krijimi i një klime të favorshme për biznesin është ndër prioritetet e qeverisë shqiptare.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë në forumin e biznesit mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, që u zhvillua në Tiranë.

Në fjalën e saj, ministrja Denaj u shpreh se aktualisht bujqësia përfaqëson 19 % të të gjitha shërbimeve.

Duke bërë një përmbledhje të situatës në sektorin bujqësor, ministrja tha se, vitet e fundit janë rritur investimet, sipërfaqet e serrave janë dyfishuar, me një synim të qartë rritjen e eksporteve dhe objektivin e qeverisë në 1 miliard dollarë deri në 2030.

Ministrja i njohu sipërmarrësit arabë me të dhënat tona të ujit dhe bimëve mjekësore, vajin e ullirit, për të cilat, sipas ministres, kemi kapacitete ende të pashfrytëzuara.

Denaj ftoi sipërmarrësit nga Arabia Saudite për investime në inovacion dhe automatizimin  e sektorit bujqësor.

“Kjo nuk është vetëm një marrëdhënie biznes me biznes, por një marrëdhënie gjithëpërfshirëse dhe këtu do të ndërhyja unë si përfaqësuese e ministrisë me kërkesën për investime për të realizuar objektivat e eksporti që mund ta zhvillojmë”, u shpreh ministrja Denaj, duke i ftuar sipërmarrësit arabë të investojnë në Shqipëri.

Një ndër pikat të cilat ministrja e theksoi, ishte ajo e lehtësimit të politikës fiskale që qeveria jonë ka ndërmarrë në sektorin e agroturizmit./ata