Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja vizitoi sot qendrën psiko-sociale “Vatra” në Vlorë, në përfundim të fushatës së parë ndërgjegjësuese për mbrojtjen e viktimave të krimit.

I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, Manja vizitoi ambientet e kësaj qendre, ndërsa nënvizoi rëndësinë e kësaj nisme.

Ministri theksoi se “me bashkëpunimin e institucioneve lokale, shoqërisë civile dhe bizneseve, po ndërtojmë një shoqëri më mbështetëse për viktimat e krimit”.

Fushata sensibilizuese në mbrojtje të viktimave të krimit nisi nga Lezha dhe vijoi me një sërë aktivitetesh edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Qeveria shqiptare ka miratuar strategjinë e parë ndërsektoriale për mbrojtjen e viktimave të krimit, e cila shtrihet për periudhën 2024-2030./ata