Luleshtrydhet “Made in Albania”, falë cilësisë natyrale, po bëhen gjithnjë e më të kërkuara jo vetëm për konsumatorët vendas por edhe në tregjet e rajonit dhe BE-së.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u ndal në Kafaraj dhe Frakull, ku bashkëbisedoi me disa fermerë të kësaj zone që kultivojnë luleshtrydhen.

“Në disa serra dhe pika grumbullimi të zonës, ku u takova me Albanin, Olsin, Gertin dhe Nestin, njerëz të bujqësisë të cilët kultivojnë dhe eksportojnë luleshtrydhen, këtë produkt elitar shqiptar i cili gjendet në tregjet ndërkombëtare, në Poloni, Kroaci dhe në supermarketin LIDL të Gjermanisë”, u shpreh Denaj në një postim në rrjetet sociale.

Me teknikat e luftës biologjike, pa përdorur pesticide dhe bashkimin e fermerëve, shtoi Denaj, këta djem kanë siguruar protokolle të njëjta në trajtimin e bimës e cilësi të lartë prodhimi.

Sipas saj, kjo metodë pune në bujqësi, u ka garantuar atyre vlerë më të lartë për luleshtrydhet që eksportojnë dhe kontrata me blerës të tregjeve elitare./ata