Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë do të inagurohet më 4 mars, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Baza ajrore taktike e Kuçovës është shndërruar në një gjurmë të rëndësishme të prezencës së NATO-s dhe do të jetë në shërbim të stërvitjeve dhe operacioneve të ndryshme të Aleancës.

Baza Ajrore e NATO-s në Kuçovë është e vetmja bazë taktike për operacionet kombëtare dhe operacionet me rëndësi strategjike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Investimi në këtë bazë arrin vlerën e rreth 45,8 milionë eurove dhe konsiston në ndërtimin e depove të armatimit, ato të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, tha se në muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë.

Duke folur për bashkëpunimin e Shqipërisë në NATO, Blinken tha se, vendi ynë ka luajtur një rol domethënës, duke ndihmuar në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe duke frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të Aleancës.

“Përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat e Shqipërisë ndihmojnë në ruajtjen e paqes në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s. Muajin e ardhshëm, Shqipëria do të përurojë bazën e ajrore të NATO-s në Kuçovë”, tha Blinken.

Blinken shtoi se “fakti që pak javë më vonë do të përurohet baza ajrore e Kuçovës, është një mënyrë e mrekullueshme për të nënvizuar dhe theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe NATO ka ndaj Shqipërisë”./ata