Ushtria izraelite vendosi "mbyllje gjithëpërfshirëse" në Bregun Perëndimor të pushtuar në përvjetorin e parë të sulmeve të 7 tetorit.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit KAN, autoritetet izraelite kanë vendosur "një unazë të plotë sigurie në Bregun Perëndimor duke mbyllur pikat e kalimit me Izraelin, duke parandaluar kalimin e punëtorëve palestinezë".
Ushtria izraelite vendosi gjithashtu të rrisë praninë e saj ushtarake "në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në të gjitha frontet", duke marrë parasysh ngjarjet e mundshme që mund të ndodhin më 7 tetor, përvjetorin e sulmeve të "Tufanit të Aksasë".
- Pushtimi i Gazës nga Izraeli pas 7 tetorit
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi një sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, me arsyetimin e "përgjigjes ndaj shkeljeve të vazhdueshme kundër palestinezëve dhe vlerave të shenjta, veçanërisht xhamisë Al-Aksa".
Në sulmet e 7 tetorit, Izraeli njoftoi se kanë humbur jetën 1.200 izraelitë ndërsa janë plagosur 5.132 të tjerë.
Në sulmet e Izraelit që nga 7 tetori në Rripin e Gazës humbën jetën të paktën 41.770 palestinezë, përfshirë rreth 17 mijë fëmijë dhe 11.378 gra, ndërsa 97.166 të tjerë janë plagosur
Përderisa raportohet se ka ende mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet gjithashtu duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.
Ushtria izraelite ka njoftuar se që nga 7 tetori janë vrarë 724 ushtarë, prej të cilëve 346 gjatë procesit të pushtimit tokësor, ndërsa 4.448 të tjerë janë plagosur.
81 pengje izraelite dhe 240 palestineze u liruan reciprokisht gjatë "pauzës humanitare" në konflikt, e cila u dha për 4 ditë më 24 nëntor 2023 dhe më vonë u zgjat edhe për 3 ditë të tjera. Nga ana tjetër, Izraeli vazhdoi të arrestonte dhe burgoste mijëra palestinezë.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, të paktën 741 palestinezë janë vrarë në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze që nga 7 tetori 2023./aa