Partia Demokratike reagoi këtë të dielë ndaj nismës së Ministrisë së Arsimit për përfshirjen e profesionistëve nga fusha të ndryshme në mësimdhënie pas marrjes së kualifikimeve përkatëse. Në një deklaratë për mediet, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula e konsideroi nismën si pjesë të fushatës elektorale të 14 majit.

 

“Kushi na dha një lajm të keq për të gjithë studentët që po ndjekin degë të mësuesisë, për të gjithë ata që kanë kryer pesë ose shtatë vjet studime universitare për të ushtruar profesionin e mësuesit, për të gjithë pedagogët e angazhuar në fakultete e cikle studimesh profesionale, si edhe për prindërit që kanë fëmijët në arsimin parauniversitar. Sipas zonjës Kushi, të gjithë ata që janë diplomuar në fusha të afërta ose të ndryshme nga mësuesia, si: ekonomi, inxhinieri, arte, gjuhësi, përkthim dhe dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e mësuesit, do t`u plotësohet kjo dëshirë, pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, që do të mundësohet nga fakultetet e edukimit”, u shpreh Sula

 

Ajo e konsideroi nismën në kundërshtim të akteve të mëparshme ligjore, që detyrojnë studentët se për të ushtruar profesionin e mësuesit, duhet të diplomohen në ciklin e dytë të studimeve Master në mësuesi, të kryejnë stazh dhe më pas provimin e licensimit.

 

“Objektivi juaj  primar, i ministrisë se arsimit dhe i kësaj qeverie nuk është interesi i nxënësit, as ai i mësuesit, të cilin vijoni të artikuloni në ligjërim bosh, por interesi partiak për t`i përdorur ato në fushatë zgjedhore”, tha Sula.