ë drejtimin e kryetares, Flutura Açka, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot mbledhjen e radhës në platformën online “Zoom”. Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, propozim i deputetes Evis Kushi.
Propozuesja e kësaj nisme ligjore, Evis Kushi, gjatë fjalës së saj u shpreh se arsimi profesional duhet të jetë gjithmonë në fokus me qëllim rritjen e cilësisë dhe përshtatjen me nevojat që ka tregu i punës. “Gjithashtu duhet të ndërgjegjësohen të rinjtë dhe familjet e tyre për të rritur interesin në drejtim të arsimit profesional. Zhvillimi i turizmit dhe teknologjisë kanë bërë që të ketë kërkesa të shtuara në tregun e punës”, u shpreh Kushi.
Ndërsa zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, u shpreh se qëllimi i projektligjit lidhet me nevojën për përditësimin e kurrikulave, njohurive dhe shërbimet që ofrohen nga institucionet publike të arsimit profesional. “Synohet rritja e cilësisë dhe standardeve të kualifikimeve profesionale duke garantuar të rinjtë dhe të rejat që kanë kompetenca bashkëkohore duke mundësuar një punësim të menjëhershëm dhe mirëpaguar. Jemi në mbështetje të këtij propozimi”, nënvizoi Manjani.
Më tej mbledhja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijoi me pyetje dhe diskutime në lidhje me projektligjin e propozuar./ata