Grupi libanez Hezbollah njoftoi të martën se ka goditur bazën ajrore të ushtrisë izraelite Meron në veri të Izraelit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore izraelite në Liban.

Në një deklaratë, grupi tha se sulmoi bazën e kontrollit ajror izraelit Meron në zonën Jabal Jarmaq herët mëngjesin e sotëm me një breshëri raketash nga disa baza raketore në Liban.

Grupi tha se sulmi vjen si përgjigje ndaj sulmit ajror izraelit në qytetin Baalbeck të hënën. Ushtria izraelite tha se dhjetëra raketa janë hedhur nga Libani në zonën veriore të Galilesë së Epërme, duke aktivizuar sirenat në zonë.

Të hënën, Hezbollahu tha se rrëzoi një mjet ajror izraelit Hermes 450 me një raketë tokë-ajër mbi rajonin Tuffah në jug të Libanit.

Tensionet janë përshkallëzuar përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit mes shkëmbimeve të përhershme të zjarrit midis forcave izraelite dhe Hezbollahut, që nga përleshja më vdekjeprurëse që kur të dy palët u ballafaquan në një luftë në shkallë të gjerë në vitin 2006.

Tensionet kufitare vijnë në mes të ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor 2023./aa