Kryeministri Edi Rama e cilësoi turizmin e aventurës mundësi të artë zhvillimi për zonat rurale, ndërsa përcolli pamje të eksperiencës “Quad Squad Durrës”.

“Eksperiencë e re për të gjithë të apasionuarit e turizmit të aventurës, atë të eksplorimit të shtigjeve natyrore përmes turit me motorra, duke nisur nga rrugët e qytetit bregdetar të Durrësit drejt zonave kodrinore të Kallmit”, shkroi Rama.

Të rinjtë e apasionuar pas motorrëve jo vetëm i dhanë gjallëri rrugëve të Durrësit, por destinacionet e tyre përgjithësisht janë zonat rurale, me rrugë të paasfaltuara.

“Turizmi i aventurës po zhvillohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri, duke u kthyer në një potencial të madh turistik dhe në një mundësi të artë të zhvillimit të zonave rurale, ku mijëra vizitorë, kryesisht të huaj zgjedhin shtigjet shqiptare për të eksploruar natyrën”, vijoi Kryeministri Rama.

Bumi turistik që po përjeton Shqipëria ka prekur jo vetëm vendndodhet tashmë të mirënjohura në Rivierën shqiptare, në Alpe apo në qytetet trashëgimi kulturore e UNESCO-s, por edhe vende të paprekura me bukuri natyrore që më parë kanë qenë krejt të pazbuluara. Vendi ynë ofron jo vetëm plazh dhe mal, por edhe shumë mundësi mes të cilave edhe turizmin e aventurës, rafting, ngjitje malore, gara me makina off road e shumë aktivitete të tjera./ata