Ministria e Financave zhvilloi një ditë më parë ankandin e obligacioneve 15-vjeçare.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në ankand u paraqit kërkesa në vlerën e afërsisht 2.26 miliardë lekëve, nga 2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim.
Ministria e Financave pranoi kërkesa për vlerën totale të 1.835 miliardë lekëve.

Yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit rezultoi 7.94%, nga 7.98% që ishte yield-i i ankandit të mëparshëm, i zhvilluar tetorin e vitit të shkuar. Ky kupon rezulton më i lartë se kuponi indikativ prej 7.3%, i paraqitur nga Ministria e Financave para ankandit.

Yield-et e obligacioneve të qeverisë shqiptare vazhdojnë të ofrojnë kthime të larta. Kthimet e larta nga këto instrumente kanë tërhequr vitet e fundit një numër në rritje individësh.

Qeveria shqiptare ka nisur emetimin e obligacioneve 15-vjeçare që nga viti 2021. Gjithsej janë zhvilluar 10 ankande të këtyre instrumenteve./ata