Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar amendimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis.

 

Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një dalje për mediat,  ka bërë me dije se amendimet parashikojnë që të kemi fasha orare të kontroluara dhe një kompetencë të zgjeruar të Policisë së Shtetit për të kontrolluar ndotjen akustike, oraret, por edhe një detyrë të re për bashkitë që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kanë detyrimin që të përcaktojnë hartën e zhurmave.

 

Ndër të tjera, ministrja bëri me dije se në këtë sezon veror fashat orare do të jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës në përputhje me hartëzimin e bërë nga bashkia, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit do të marrë kompetencat për aktivitetet që nuk i respektojnë këto norma.

 

 “Miratuam amendimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Është një punë 1-vjeçare, por edhe si rezultat i vëzhgimit që kemi bërë në sezonin turistik, ku një nga shqetësimet e mëdha që kishin bizneset dhe operatorët e pushuesit ishte ndotja akustike për shkak të muzikës në lokale, bare, restorante dhe hotele.

 

I dhamë zgjidhje një problemi të akumuluar prej vitesh duke bërë amendimin në ligjin për zhurmat dhe duke filluar nga ky sezon, me miratimin e ligjit në Parlament, do të kemi një kontroll më të shumtë të ligjit, do të kemi fasha orare të kontroluara dhe një kompetencë të zgjeruar të Policisë së Shtetit tashmë me mjete të certifikuara dhe sipas standardeve të OBSH-së për të kontrolluar ndotjen akustike, oraret, por edhe një detyrë të re për bashkitë që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kanë detyrimin që të përcaktojnë hartën e zhurmave ose hartëzimin e territorit për të përcaktuar qartë, zonat e banuara, ato të qeta, ato ku mund të zhvillohen aktivitete zbavitëse, ashtu sikurse do të ketë ndarje mes kompetencave të Policisë Bashkiake që do të vazhdojë të kontrollojë, por tashmë do të pajiset me mjete certifikuese kontrolluese të akredituara dhe për llojet e tjera të zhurmave që mund të krijohen në territore të ndryshme të bashkive për t’i dhënë fund atij topi që i hidhen nëpër institucione.

 

Tashmë, të gjitha istitucionet do t’i kenë rolet më të qarta. Fashat orare për sezonin e verës për aktivitetet muzikore normale të përditshme do të jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës në përputhje me hartëzimin e bërë nga bashkia dhe Policia e Shtetit do të marrë kompetencat për aktivitetet që nuk i respektojnë këto norma. Jemi përpjekur që të parashikojmë dhe hapësirat për jetën e natës. Normat e muzikës nuk kanë qenë të kontrolluara në përputhje me parametrat e parashikuara nga OBSH. Bashkitë do të kenë detyrimin që të përcaktojnë se cilat janë ato zona ku mund të organizohen, që duhet të jenë larg zonave ku banohet dhe pushohet përtej mesnatës. Do të sjellë riorientim”-tha Kumbaro.