Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Ardita Kuçi, bëri të ditur sot se, fermerët po vijojnë me interes të shtuar aplikimet në Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi.

Në një prononcim për ATSH-në, Kuçi tha se, “pas përmbylljes me sukses të fushatës së informimit për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, në 12 qarqet e vendit, fermerët po sjellin dosjet fizike të aplikimit, pranë zyrës qendrore të AZHBR-së”.

Gjatë takimeve informuese, bëri të ditur drejtoresha e AZHBR-së, fermerët u njohën me masat mbështetëse dhe kriteret e aplikimit, teksa u zhvilluan diskutime të hapura përmes sesioneve pyetje-përgjigje, duke marrë informacion të drejtpërdrejtë mbi skemën.

Sipas saj, ka një interes të shtuar të fermerëve dhe subjekteve, për të aplikuar në një nga pesë masat mbështetëse të Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi: ndërtimin e serrave të reja diellore, instalimin e rrjetave antibreshër, ndërtimin e stallave, mekanizimin e bujqësisë, kosha e rrjeta për akuakulturë dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.

Kuçi u shpreh se “stafi teknik i AZHBR-së është i angazhuar maksimalisht për të asistuar aplikantët për çdo paqartësi që kanë nevojë”.

“Kjo skemë adreson mbështetje për zhvillimin e bujqësisë dhe është një mundësi e artë për të gjithë fermerët që do të investojnë. Aplikimet në Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, vijojnë deri më datën 8 nëntor 2024”, tha ajo.

Kuçi vuri në dukje se, Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi është një nismë e qeverisë shqiptare që synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e saj.

Ajo u ndal në masën e financimit dhe buxhetin që adreson kjo skemë për fermerët.

“Fondi në dispozicion është 1.5 miliardë lekë, me shtrirje 2-vjeçare, ku 500 milionë lekë janë për vitin e parë dhe do të shpërndahen në formën e një granti prej 50% për investimet kryesore, në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve. Ndërkohë që 30% e totalit të grantit do të jepet në fillim si parapagim. Ky fakt i lehtëson fermerët që të kenë financim paraprakisht dhe në përfundim të projektit të marrin pjesën e mbetur të financimit”, tha Kuçi.

Që prej 30 shtatorit fermerët po aplikojnë për të përfituar nga Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi 2024.

/ata