Me ftesë të dekanit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, Prof. Dr. Albert Qarri, dhe në kuadër të Javës Globale të Parasë 2024, zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, mbajti një leksionin me temë “Integrimi ekonomik: dije dhe financim”.

Leksioni u përqendrua në nevojën për të kuptuar oportunitetet që sjell ekonomia e dijes për vendet në zhvillim, si dhe orientimi drejt dijes dhe inovacionit si mënyra e vetme për të përfituar prej tyre. Duke u ndalur në ndryshimet që përhapja e ekonomisë së dijes po sjell në ndarjen ndërkombëtare të punës, zëvendësguvernatorja identifikoi arsimin dhe sektorin financiar si aleatët kryesorë të këtij progresi. Në këtë kontekst, Ahmetaj shprehu vlerësimin për brezat e studentëve dhe profesorëve që vijojnë të kontribuojnë në emrin e mirë të këtij universiteti.

Ahmetaj theksoi rëndësinë që ka për rritjen ekonomike afatgjatë investimi i koorporatave në kërkim shkencor dhe zhvillim (R&D). Ajo adresoi mundësitë e shkëlqyera të ekonomisë së dijes për vende si Shqipëria, por që duhet të mbështeten në sisteme arsimore, financiare dhe institucionale të zhvilluara, si dhe orientimin e stafeve akademike drejt komercializimit të shkencës dhe inovacionit.

“Zhvillimi i sistemit të pagesave mund të luajë një rol të rëndësishëm për këtë qëllim, duke mundësuar formalizimin e remitancave dhe përdorimin e tyre si një burim për rritje ekonomike dhe daljen nga varfëria”, tha ajo, ndërsa nënvizoi se, për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar shqiptar kanë zgjedhur të jenë lider në rajon, duke investuar në teknologji dhe duke përqafuar në kohë kornizën ligjore të Bashkimit Evropian në fushën e shërbimit të pagesave.

Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u ndal te rëndësia e remitancave për familjet shqiptare dhe roli i Bankës së Shqipërisë për të ulur kostot e dërgimit të tyre përmes kanaleve formale financiare. Modernizimi i sistemit kombëtar të pagesave dhe aplikimi për anëtarësimin në SEPA do të sjellin përfitime të ndjeshme në këtë drejtim.

Në përfundim, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u ndal te qëndrueshmëria dhe shëndeti i sektorit financiar si një funksion themelor i Bankës së Shqipërisë.

Ligjërata u mbyll me pyetje dhe diskutime, lidhur me financat në epokën digjitale, me fokus te kriptomonedhat dhe monedhat digjitale të bankave qendrore (CBDCs), duke prekur karakteristikat e tyre, lehtësinë e transaksioneve, luhatjen e çmimeve, rrezikun e falimentimit dhe qasjen e bankave qendrore mbi këtë zhvillim. Të pranishmit shfaqën interes mbi perspektivën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe parapërgatitjen e duhur të sektorit financiar në këtë fushë./ata