Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Raportin e Stabilitetit Financiar, që është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga BSH, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.

Sipas njoftimit të BSH-së, Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, veprimtaria e sektorit bankar u përmirësua. Depozitat dhe kreditë u zgjeruan pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, kapitalizimi i veprimtarisë u shfaq në nivele të mira, ndërsa fitimi u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Rreziqet e veprimtarisë vlerësohen në nivele të kontrolluara dhe në tërësi rezistenca e veprimtarisë bankare ndaj tyre është forcuar. Megjithatë, rreziqet e shoqërojnë gjithmonë veprimtarinë bankare, ndaj performanca më e mirë financiare duhet të përdoret nga bankat për të përmirësuar infrastrukturën e administrimit të rreziqeve.

“Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, dhe veçanërisht nga përmirësimet në llogarinë korrente të bilancit të pagesave. Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste erdhën në rënie, por norma e inflacionit mbeti mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë. Reagimi i mëtejshëm i politikës monetare do të mbështetet mbi të dhënat korrente dhe do të reflektojë analizën e faktorëve të rrezikut për ecurinë e inflacionit. Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme. Ato lidhen kryesisht me pasigurinë që mbartin zhvillimet gjeopolitike. Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike të përdorin këtë periudhë të favorshme në zhvillimet ekonomike e financiare në vend, për të konsoliduar arritjet dhe për të reformuar më tej ekonominë me qëllim vendosjen e saj në shinat e një zhvillimi sa më të qëndrueshëm dhe të balancuar në të ardhmen”, thekon BSH-ja./ata