Gjatë muajit shtator janë kryer gjithsej 27 mijë transaksione përmes sistemit AIPS, duke e çuar totalin që prej fillimit të vitit në 234 mijë. Pavarësisht se numri i transaksioneve ka pësuar rritje krahasuar me muajin gusht, vlera e këtyre veprimeve ka pësuar një rënie drastike.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se shuma e transaksioneve të realizuara përmes AIPS ishte 419 milionë euro në shtator, një rënie me 12.5% llogaritur me muajin gusht. Nga ana tjetër, numri i transaksioneve në shtator është rritur me 3.8% krahasuar me shifrën prej 26 mijë që u regjistrua në muajin gusht.
Ndërkohë, shuma totale e transaksioneve vlerësohet të ketë arritur në 3.7 miliardë euro që prej muajit janar. Nëse bëjmë një analizë më të detajuar të vlerës së veprimeve të kryera përmes sistemit AIPS gjatë këtij viti, vërehet se muaji gusht ka shënuar një shifër rekord prej 479 milionë eurosh.
Ndërsa për sa i përket numrit të transaksioneve, në korrik rezulton të jenë kryer 29 mijë, më shumë se në çdo muaj tjetër. Nëse shohim tendencën se në cilat periudha realizohen më tepër veprime, nga shifrat konstatohet se gjatë sezonit veror ka një shtim të transaksioneve me AIPS.
Sistemi i pagesave ndërbankare me vlerë të madhe, AIPS, është sistemi shqiptar i shlyerjes bruto të pagesave në kohë reale i Bankës së Shqipërisë që shërben për ekzekutimin e shlyerjes së pagesave me rëndësi sistemike brenda territorit të vendit tonë, në mënyrë të parevokueshme dhe të pakushtëzuar.
Qëllimi i sistemit është të rrisë procesimin dhe shlyerjen e pagesave me vlerë të madhe dhe të transaksioneve të tjera ndërbankare bruto në kohë reale, si dhe eleminimin e riskut sistemik./Scan