Patrioti dhe firmëtari i Pavarësisë, Luigj Gurakuqi u nderua sot në Shkodër në 99-vjetorin e vdekjes.

Autoritet vendore të bashkisë Shkodër kanë vendosur kurora me lule pranë monumentit në qendër të qytetit në nderim të veprës dhe kontributit të tij.

Luigj Gurakuqi lindi në vitin 1879 dhe u vra më 2 mars 1925 në Bari të Italisë.

Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali. Studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. L. Gurakuqi ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike. Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit.

Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua ministër i Arsimit nga Ismail Qemali. Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit dhe anëtar i Komsisë Letrare në Shkodër. Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar. L. Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit./ata