Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të Programit EU4Culture, mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, zbatuar nga UNOPS.
Gonxhja bën me dije në një postim në rrjetet sociale se gjatë takimit diskutuan mbi transformimin dhe rijetësimin e objekteve e pasurive të trashëgimisë kulturore me vlera të historike, duke ruajtur të gjitha elementet origjinale të objekteve e duke aplikuar metoda inovative.
“Gjithashtu ndoqëm pasqyrën e ecurisë së deritanishme për shumë nga projektet e nisura, e ku koordinuam mbi përgjegjësi e detyra operative dhe zgjidhje teknike e administrative”, tha Gonxhja.
Këto projekte restaurimi, shtoi Gonxhja, jo vetëm që ruajnë pasurinë kulturore, por gjithashtu do të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve lokale.
“Bashkëpunimi me UNOPS-BE është kyç në arritjen e këtyre objektivave, duke sjellë ekspertizën dhe burimet e nevojshme për t’i realizuar me sukses këto projekte”, tha Gonxhja./ata