Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se, “këto ndryshime vijnë në kuadër të paketës së ndryshimeve rregullative për mbrojtjen e konsumatorëve, si reagim i Bankës së Shqipërisë ndaj disa çështjeve të hasura në tregun ku këto institucione operojnë”.

Guvernatori tha se, ndryshimet e rregullores përcaktojnë parime të përgjithshme në procesin e kryerjes së analizës financiare ndaj kredimarrësve konsumatorë, ku theks i veçantë vendoset në vlerësimin e qëndrueshmërisë së të ardhurave dhe kapacitetit pagues të kredimarrësit, si dhe synohet parandalimi i praktikave të kredidhënies së papërgjegjshme për të shmangur vështirësitë e panevojshme financiare dhe situatat e mbiborxhit për konsumatorët.

Sipas tij, ndryshimet parashikojnë përfshirjen e disa kërkesave të shtuara për vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësve në kontratat e kredive konsumatore për subjektet financiare jobanka në veprimtarinë e kredidhënies dhe për institucionet financiare të mikrokredisë, përfshirë edhe detyrimin për subjektet që përpara dhënies së një kredie dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj të kryejnë vlerësimin e aftësisë paguese të konsumatorëve, bazuar në të dhëna dhe informacione të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara, të cilat duhet të verifikohen në mënyrë të arsyeshme nga subjekti.

“Gjithashtu pjesë e ndryshimeve është edhe shtimi i një kërkese për subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme, të cilat në momentin e klasifikimit të portofolit të këtyre kredive nuk mund t’i klasifikojnë si kredi jo me probleme, nëse shlyerja e kësteve të kredive të blera bëhet nëpërmjet një kredie. Këto ndryshime hyjnë në fuqi më 1 janar 2025”, deklaroi Sejko./ata