Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha sot nga Kuvendi Zgjedhor që zhvilloi PD në degën e saj në Lezhë, se rregullat e qarta të lojës janë baza për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Basha, po ashtu ka rikujtuar sërish kërkesat e Partisë Demokratike në kuadër të Reformës Zgjedhore.

“Qëndrimet tona për zgjedhjet tashmë janë institucionalizuar. Padiskutim që garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kërkojë shumë më shumë sesa rregullat e lojës. Por pa rregullat e lojës, nuk ka asnjë shans që të kemi një rrugë të hapur drejt një sistemi zgjedhor ku qytetarët vendosin se kush do të shkojë në parlament dhe jo kryetarët e partive”, tha Basha.

“Kjo është arsyeja pse PD ka dorëzuar jo thjesht në emrin e saj apo të opozitës, por në emrin e interesit të çdo qytetari propozimet për listat e hapura. Propozimin për Shqipërinë një zonë zgjedhore, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik dhe për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Propozimi për listat e hapura nuk është një manovër politike apo partiake, është zotimi ynë që parlamenti të mos jetë më një konstelacion i atyre që vijnë nga listat e mbyllura të përcaktuara nga kryetarët e partive sipas formulës kushtetuese të 2008-ës. Që ishte dhe fillimi i fundit të Republikës së parë pluraliste në Shqipëri dhe që sot është kthyer në një pronë private të Edi Ramës dhe të çirakëve të tij në qeveri”, deklaroi Basha.

Ai tha se PD është në mbështetje pa kushte të SPAK-ut, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

“Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, e cila sot po anatemohet nga të gjitha anët, por në asnjë anë më shumë sesa nga kryeministri i cili në fshehtësi bashkë me njerëzit e tij në parlament dëshiron të krijojë një komision të posaçëm për të mbikëqyrur SPAK-un. Dëshirë që i është shtuar në veçanti pas ngjarjeve të fundit, siç është intervista e ish-zëvendëskryeministrit tashmë në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar dhe dënimi me burg të ish-drejtorit të Kundërzbulimit të FBI-së për New Yorkun, Charles Mcgonigal”, tha Basha.

“Kësaj dëshire të çuditshme në fakt, i është shtuar së fundmi edhe shqetësimi i kryeministrit shqiptar për sjelljen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në zyrat e shtetit. Sigurisht për një njeri që ka rrahur gjoksin me të dyja grushtet se është autor i Reformës në Drejtësi, këto dy pohime janë shumë më problematike sesa të ulërijë në kupë të qiellit nga kupa e kokës kundër SPAK-ut apo BKH-s”, vijoi Basha.

“Janë domethënëse sepse tregojnë qartë se Edi Rama ka frikë nga drejtësia, i trembet drejtësisë dhe tani ka nxjerr gërshërët për të prerë këmbët dhe duart e drejtësisë. PD është në mbështetje të institucioneve të drejtësisë, PD është në mbështetje pa kushte të SPAK-ut, sepse PD beson se ky është shansi i vetëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të sjell barazinë para ligjit për çdo shqiptarë kudo ku ndodhet”, nënvizoi Basha./ata